Varrosje, mykje, pshurrje dhe Ringjallja

Është ora tre e mëngjesit dhe unë sapo jam zgjuar nga shtrati. Ka disa javë që mungesa e gjumit ka filluar të më bëhet klishe. Sytë i kam të skuqur nga tentimet e kota për t’i mbyllur  dhe të rrudhur nga drita e laptopit që ndriçohet më shumë nga fleta e bardhë e një dokumenti të ri në Microsoft Word.

Ndez një cigare që e marrë nga pakoja e cila për çdo orë harxhohet por përsëri kurrë nuk është e thatë dhe ha dy kollapë çokollate të Austrisë të cilat të drejtën ma shpifin. Është ora tre e tre minuta dhe unë jam duke thënë broçkulla. Arsyeja është se dua të shkruaj diçka. Ndjej se po harxhohem.

Sapo kam përjetuar një ditë jo fort të mirë. Pasi mungova në mbledhje për arsyet e mungesës së gjumit, kam humbur edhe fotoaparatin tim. Nuk e kuptoj se si dhe as ku. Por nuk e kam atë. Nuk është pse nuk mund të jetoj pa fotoaparatin porse kjo më ka dhënë një shpërfaqje të asaj se si jam duke jetuar.

Dhe është një histori të cilën e kam mësuar kur kam qenë fëmijë. Aty diku në moshën tetë ose nëntë vjeç.
154809_10151283656712409_1131462092_n

 

 

Duhet të ketë qenë viti 1998 kur babai im më morri në dhomën e tij të gjumit me orendi të mbushura plot me libra. Në gjithë dhomën mbaj mend të kenë qenë katër bure të turshive që kanë zënë deri në 80 kilogram speca. Babai kishte vendosur që në vend të flakjes së tyre nga lufta në të cilën po kalonim atëherë ti shtinte turshi librat.
I paketuam një nga një në ato bure të cilat u mbushen plot me libra. Pastaj me ndihmën e gjyshit dhe të nënës sime i zbritëm poshtë në oborr. Unë normalisht nuk kam ndihmuar në këtë proces sepse buretë me libra tejkalonin peshën që unë mund të ngrehja në atë kohë. Te drejtën as tashti nuk do të mundja të ndihmoja. Nuk jam i mirë në peshë ngritje.
Por në mes të dy togjeve me sanë e kashtë që rrethoheshin nga disa pemë që mesa më kujtohet kanë qenë mollë të egra unë e kisha një kazmë të madhësisë së mesme në duar. Po heqja dheun e fundit të katër gropave me gjerësi dy metra e me thellësi prej më shumë se 5 metrave. Babai dhe nëna ime patën hequr shumë deri sa më kanë nxjerrë nga njëra prej gropave që kishte hapur babai.
Katër buretë i futëm në katër gropat e hapura. Babai hidhte dhe përmbi me një qëndrim sikur po varroste katër fëmijë të tij. Dhe kur muzgu afrohej e gropat u dheu u bë rrafsh me tokën përmbi të cilën unë hodha kashtë, babai më tha diçka që kurrë nuk do ta harroj.
“Po varros këto libra që të mos digjen. Do të kthehemi pas luftës dhe do ti ringjallim. E ti ke me u rritë më shumë deri atëherë e do t’i rendisim në orenditë e reja”, më tha babai, me një ton sikur unë po vajtoja dhe po pyesja se përse e bënte ai këtë veprim. Në fakt, mua nuk më interesonte dhe aq veprimi i tij.
Lufta kishte mbaruar, shtëpia së bashku me dhomën e babait tim ishte djegur. Edhe togjet me sanë dhe kashtë gjithashtu. Unë vajtova një veturë lodër të djegur,  të cilën ma kishte blerë daja për ditëlindje ndërsa babai im kishte kapur kazmën në duar. Kisha harruar se diçka kishim varrosur. Të nesërmen i nxorëm librat, nga dheu. Hapëm buretë dhe librat ishin të gjitha të lagura. Babai im kishte aso qëndrimi sikurse po nxirrte eshtrat e fëmijëve të cilët i kishte varrosur për t’i mbrojtur. Por si një baba i cili i dëshiron aq shumë fëmijët e vet, edhe nëse janë vetëm eshtra, i mori të gjitha librat ashtu të lagura dhe i vendosi në ballkon për t’i terur. Pas disa ditëve së bashku më të i vendosëm në një orendi iverice të marra ndihmë një organizatë humanitare. Me fletë të kapura me njëra tjetrën unë i kam lexuar shumë nga to. Mbaj mend kompletin e Kadaresë, Spases, Rrahmanit, Mjedjes, vëllezërve Frashri e shumë të tjerë.

Me tetë janar të këtij viti kam mbushur 24 vjet. Në njërën nga ditët pas ditëlindjes jam gjendur para orendisë që tashmë është në gjendje shumë të mirë dhe libra të renditura mirë. Mora botimin e tretë të revistës letrare “Jeta e Re” i botuar në vitin 1996 e që brenda ka shkrime nga kjo revistë gjatë viteve 1876-1942. Meqenëse të nesërmen kisha për të dalë në punë morra librin në redaksi, në korridorin e së cilës shefja më thotë se ku e kam marrë këtë libër. U mundova t’ia sqaroj mirëpo ajo ma preu disi egër. “Këtë libër ose e ka mbuluar uji ose e ka pshurrë dikush”, më tha ajo. Disa kolegë nisën të qeshën. Pa arsye edhe unë bërë të njëjtën gjë. Teksa kthehem nga puna, me atë libër në duar, duke menduar atë që e tha ajo dhe me atë se çka jam duke bërë në këtë jetë më duket se kam arritur në një përfundim që besoj që më jap një sy gjumë netëve në vazhdim.Më duhet të varros disa ‘gjëra’ të vlefshme për mua. Por ka kaluar koha e bureve dhe e gropave. Më duhet  një zgjidhje moderne.

Por duhet t’ia bëjë disi. Duhet të varros…

Që kur të ringjallen dikush të mos e besoj që janë ringjallur. Ashtu sikur mund të mos jetë e besuar tregimi që bëra. E kur të ringjallen, ndoshta janë të mykura nga uji, ama janë taze. Një nga ju me humor mund ta thotë se ‘ato gjëra’ i ka pshurrë dikush…
Edhe mund të ketë të drejtë.

Advertisements

2 thoughts on “Varrosje, mykje, pshurrje dhe Ringjallja

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s